Një nga kompanitë më të mëdha të nxjerrjes së naftës në vend, “Bankers Petroleum”, është vënë në qendër të një hetimi penal për evazion të përmasave të mëdha.

Autoritetet bëjnë me dije se kjo kompani, gjatë gjithë periudhës nga viti 2004 deri në vitin 2024, ka raportuar humbje të vazhdueshme, pavarësisht të ardhurave të mëdha nga shitjet dhe eksportet e naftës bruto.

Sipas Prokurorisë së Fierit, kompania ka realizuar shitje me vlerë rreth 532 miliardë lekë, por ka deklaruar shpenzime të fryra, duke raportuar humbje prej mbi 11.7 miliardë lekësh në total. Kjo ka rezultuar në mospagimin e tatim-fitimit për dy dekada dhe, njëkohësisht, në përfitime të padrejta përmes rimbursimeve të TVSH-së.

Hetimet, të cilat kanë zgjatur për rreth 6 muaj dhe janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, kanë zbuluar një skemë të mirëorganizuar mashtrimi që përfshinte përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe transaksione financiare të dyshimta me palë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Operacioni i ndërmarrë së fundmi çoi në arrestimin e disa zyrtarëve të kompanisë, përfshirë drejtorin ekzekutiv të saj, shtetasin kinez Hongping Xiao, dhe ish-drejtorin Leonidha Çobe.

Ndaj tyre dhe personave të tjerë rëndojnë akuza të rënda si: falsifikimi i dokumenteve tatimore, fshehja e të ardhurave, pastrimi i parave, dhe shpërdorimi i detyrës.

Prokuroria njoftoi se gjatë kontrollit të ushtruar në zyrat e kompanisë në Fier është hasur rezistencë, dhe për të hyrë në ambientet e brendshme ka qenë e nevojshme ndërhyrja me forcë. Përveç sekuestrimit të serverave dhe dokumentacionit, janë kontrolluar edhe banesa private të personave të përfshirë.

Deri tani janë lëshuar 14 masa sigurie, nga të cilat 9 janë ekzekutuar, ndërsa 5 shtetas, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas Prokurorisë, aksioni ishte urgjent për të parandaluar shkatërrimin e provave dhe për të ndaluar vazhdimin e aktivitetit të paligjshëm.

Bankers reagoi pas aksionit të policisë dhe sqaroi se aktiviteti i saj vijon pa ndërprerje në shërbim të klientëve, duke shtuar se do të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare dhe të respektojë masat ligjore.