Partia Demokratike mban sot në Tiranë protestën e dytë kombëtare dhe ka thirrur mbështetës nga gjithë Shqipëria, për atë që e quan revolucion deri në rrëzimin e regjimit të qeverisë Rama.
Po sot, në orën 11.00 Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm do të vendosë dhe për vulën dhe logon e PD, nëse partia i takon Sali Berishës apo grupimit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Dhjetëra militantë të PD kanë mbërritur prej paradites së sotme dhe janë grumbulluar para Gjykatës së Apelit, ku pas pak do të vendoset për lidershipin e kësaj force politike. Edhe pse ishte thënë se protesta nuk do kishte lidhje me vendimin e gjykatës, në fakt po ndodh e kundërta.
Juristë dhe analistë të njohur janë shprehur ditët e fundit se caktimi i protestës në të njëjtën ditë më vendimin e Gjykatës së Apelit, aq më tepër grumbullimi para këtij institucioni të drejtësisë, është një presion dhe provë force.
Rudina Hajdari në një deklaratë nga Gjykata e Apelit, tha se kryetari i opozitës zgjidhet nga populli dhe jo gjykata. Sipas saj, fati i Partisë Demokratike nuk mund të vendoset nga një trup gjykues.
“Ajo që po ndodh është e paprecedentë. I kujtoj gjykatës , shoqërisë që ky është një problem që na përket të gjithë. Gjykata nuk mund të mohojë të drejtën. PD nuk mund të trajtohet si pronë private, s’mund të vendoset nga një trup gjykues nëse kjo i përket zoti Berisha apo jo”, u shpreh Hajdari.
Nga ana tjetër, në ambientet përreth Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm janë vendosur numër i konsiderueshëm i forcave policore, të cilat kanë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë së objektit dhe trupës gjykuese.