Prestige ka marrë fitoren e radhës në kampionatin “5×5” që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, teksa ka triumfuar me rezultatin 3-0 kundër skuadrës Black Eagles në sfidën e vlefshme për Grupin 6 në Zonën e Tiranës. Gjithçka u vendos në pjesën e dytë, teksa Gjoni, Allmeta dhe Shaqe ishin autorët e golave për Prestige.
NDESHJA – Pjesa e parë ishte me rivalitet, kjo edhe për meritë të Black Eagles që arriti të bënte rezistencë. Ndërsa, Prestige edhe pse e kishte lojën nën kontroll nuk ia doli që ta zhbllokonte rezultatin. Megjithatë, në pjesën e dytë Prestige ndryshon “marsh”, duke e rritur ndjeshëm rimtin e lojës dhe shpejtësinë e veprimeve.
Që në fillim skuadra bën presing lart, duke e mbyllur në portë kundërshtarin dhe duke e rifituar topin shumë shpejt. Kështu, Prestige nis serinë e tentativave drejt portës, duke krijuar raste të njëpasnjëshme.
Ndërsa goli do të vinte në minutën e 10-të të këtij fraksioni. Pas një aksioni të gjatë, Gjoni gjuan saktë nga një pozicion diagonal, duke e ndalur topin në cepin e portës.
Gjashtë minuta më vonë, pas një sulmi të shpejtë, Allmeta realizon edhe të dytin. Ndërsa në fund është Shaqe që vulos fitoren 3-0 me një gjuajtje të “dhunshme” nga një pozicion i prirët. Ky ishte triumfi i gjashtë në kampionat për Prestige, në shtatë ndeshje të zhvilluara.
PRESTIGE B – Ndërkohë, skuadra e dytë e Prestige dje pësoi humbjen e parë sezonale, teksa u mposht me rezultatin 3- 1 nga ekipi Tirana “5×5”. Gjithsesi, ndeshja ishte shumë e fortë dhe e luftuar nga të dyja kampet.
Tirana “5×5”, e përbërë nga lojtarë me eksperiencë dhe e drejtuar nga Erind Resuli, që është edhe trajner në Kombëtaren e futbollit të sallës, u tregua më e saktë.
Pjesë e parë e parë u mbyll 2-0 në favor të Tiranës. Në minutat e fundit të pjesës së dytë, Prestige B ngushtoi me Vashën, i cili ekzekutoi saktë një penallti. Por, vetëm disa sekonda më vonë Tirana riktheu qetësinë me golin e tretë.