“Menaxhimi i mbetjeve urbane” ishte kryefjala e vendimeve gjatë mbledhjes së dytë në qeverinë “Rama 3”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka dhënë detaje për metodologjinë e re për bashkitë që të përllogarisin me transparencë sasinë e mbetjeve në territore të tyre. Sipas saj ky vendim i qeverisë do të mundësojë një menaxhim më të mirë të mbetjeve në vend.

“Miratuam sot në mbledhjen e dytë të qeverisë një amendim të një VKM-je ekzistuese që ka të bëjë me mënyrën se si menaxhohen mbetjet. VKM-ja që ne miratuam është një riamendim i një vendimi të 2015 që saktëson metodologjinë me të cilën njësitë e qeverisjes vendore të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre si publikohen dhe standardizohen. Ka qenë një punë e gjatë e bërë nga Ministria e Mjedisit për kryqëzimin e të dhënave. Një metodologji e unifikuar për të gjitha bashkitë që do japin një tablo të qartë. Detyrimi për t’i bërë publike statistikat e mbetjeve në territor. Ky instrument do mundësojë një menaxhim më të mirë të mbetjeve, për të plotësuar rolin e Ministrisë së Mjedisit si një monitorues i kësaj situate”, u shpreh Kumbaro.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë mbledhjes së qeverisë ka njoftuar nënshkrimin e një marrëveshje midis programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare. Marrëveshja “Star 3” bashkon donatorë që janë të përfshirë në modernizimin e qeverisjes vendore.

“Sot miratuam në mbledhjen e radhës një marrëveshje mes programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë. Është një instrument që është përdorur që prej vitit 2013. Ky program është i treti në radhë dhe quhet “Star3”, bashkon disa donatorë që janë të përfshirë në reformën e decentralizimit dhe modernizimin e qeverisjes vendore. Është krijuar një fond i përbashkët. Donatorët janë BE, Suedia dhe Zvicra. Ky program do të shkojë për të përsosur edhe më tej shërbimet në nivel lokal. Do ketë instrumenta monitorimi të përformacës së qeverisjes vendore. Në bazë të performancës së çdo bashkie dhe e qeverisë do të jetë asimetrike. Kështu që besoj që suksesi do të jetë i garantuar. I tillë ka qenë edhe në dy marrëveshjet e para”- përfundoi Çuçi.