Ministri grek Stavros Papastavru mbërriti pasditen e sotme në IEVP Durrës ku po vijon takimin me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.

Ministri në një prononcim për mediat deklaroi se vendimi i sovranit nuk po zbatohet akoma dhe se do të vijojnë të mbështesin Fredi Belerin.

“Erdha e vizitova kryebashkiakun e Himarës që mbahet në burg këtu e 7 muaj. Fatkeqësisht në Himarë, vendimi i sovranit për votën nuk po zbatohet akoma. Himara është e vetmja bashki në Europë ku kryetari i humbur vazhdon të drejtojë bashkinë dhe kryetarit të zgjedhur po i mohohet e drejta për t’u zgjedhur.

Ne i gjendemi pranë Fredi Belerit për një gjyq të drejtë dhe duam që prezumimi i pafajësisë së tij të respektohet nga drejtësia shqiptare. Duhet gjetur një zgjidhje në kuadrin e së drejtës evropiane dhe shtetit të së drejtës dhe ëndrrës evropiane që të kthehet normaliteti në Bashkinë e Himarës”, u shpreh Papastavru.

Ky takim po zhvillohet një ditë para seancës gjyqësore të Belerit, i cili është në pritje të gjykimit. Athina zyrtare vijon ta mbështesë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës që nga momenti i arrestimit.

Papastavru është ministri i dytë grek, pas ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit në shtator, që takon kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës në burgun e Durrësit.

Fredi Beleri nuk është lejuar ende të bëjë betimin si kryebashkiak, ndërsa u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas organit të akuzës, ka prova që tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave.

Top Channel