
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka kërkuar që Rusia të luajë rol në bisedimet vendimtare për fatin e programeve bërthamore të Teheranit, pasi shprehu dyshime për qëllimet e Shteteve të Bashkuara në prag të rundin të dytë të bisedimeve.
Duke folur të premten, së bashku me ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, Araqchi tha se ende beson është e mundur të arrihet një marrëveshje. Diplomati iranian pritet të takohet më 19 prill në Romë me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, për rundin e dytë të bisedimeve mbi programet bërthamore të Iranit.
“Edhe pse kemi dyshime serioze për qëllimet dhe motivet e palës amerikane, ne do të marrim pjesë në negociatat e nesërme”, tha Araqchi në Moskë.
Rundi i parë i bisedimeve në Oman javën e kaluar ishte i nivelit më të lartë të bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit prej se presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga një marrëveshje historike bërthamore në vitin 2018.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë akuzuar prej kohësh Iranin se po bën përpjekje për të ndërtuar armë bërthamore. Teherani i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, duke këmbëngulur se përpjekjet e tij kanë qëllime paqësore, si prodhimi i rrymës. Më herët gjatë javës, Witkoff bëri thirrje për përfundimin e të gjitha programeve të pasurimit të uraniumit të Iranit. Inspektorët ndërkombëtarë thonë se Teherani ka arritur të pasurojë rezervat e tij të uraniumit deri në 60 për qind shumë afër pragut ku uraniumi konsiderohet si i përshtatshëm për të ndërtuar armë bërthamore.
Araqchi u përgjigj më 16 prill, duke thënë se përpjekjet e Iranit për pasurimin e uraniumit nuk janë çështje për diskutim.
“Nëse ka një gatishmëri të ngjashme nga pala tjetër, dhe ata heqin dorë nga kërkesat e paarsyeshme dhe jorealiste, besoj se është e mundur të arrihet një marrëveshje”, tha Araqchi.
Prej se e mori detyrën në janar, Trumpi e ka rritur trysninë ndaj Iranit, përfshirë dërgimin e më shumë forcave ajrore dhe detare amerikane në rajon. Por, ai gjithashtu ka kërkuar bisedime direkte me zyrtarët iranianë.
“Nuk po kërkoj shumë”, tha Trump në fillim të prillit, “por ata nuk mund të kenë armë bërthamore”./rel
