Ministri i Mbrojtjes i Finlandës, Mikko Savola, tha më 18 shkurt se vendi i tij do t’i bashkohet NATO-s pa e pritur Suedinë, nëse pranimi i fqinjit nordik pengohet nga qeveria turke.
Ai i tha Associated Press se Finlanda do të preferonte që të dy vendet t’i bashkoheshin Aleancës së bashku, por nuk do ta pengonte procesin nëse Turqia vendos ta ratifikojë kërkesën për Finlandën, por jo edhe për Suedinë, ashtu siç ka paralajmëruar.
“Jo, jo. Pastaj ne do të bashkohemi”, tha Savola në një intervistë në margjinat e një konference të sigurisë në Mynih.
Parlamentet e të 30 anëtarëve të aleancës ushtarake duhet të ratifikojnë zyrtarisht kërkesën e Finlandës dhe Suedisë përpara se ato të pranohen në Aleancë. Turqia dhe Hungaria janë dy anëtarët e vetëm të NATO-s që nuk e kanë bërë këtë.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha në fund të janarit se Ankaraja mund ta pranojë anëtarësimin e Finlandës, pa Suedinë.
Turqia – si vend anëtar i aleancës me të drejtë vetoje – ka shtyrë për kohë të pacaktuar bisedimet e anëtarësimit.
Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimet e këtyre dy shteteve për në NATO, pikë së pari për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016.
Suedia ka diasporë më të madhe kurde sesa Finlanda dhe ka më shumë mospajtime me Ankaranë.
Ankaraja po ashtu ka shprehur zemërim për vendimin e policisë suedeze që të lejojë një protestë, ku një ekstremist i krahut të djathtë dogji një kopje të Kuranit para Ambasadës turke në Stokholm më herët gjatë këtij muaji.
Gjithashtu, Turqia ka shprehur zemërim lidhur me vendimin e gjyqësorit suedez që nuk ka ngritur aktakuzë ndaj një grupi pro-kurd që vari kokëposhtë një manekin që i ngjasonte Erdoganit para ndërtesës së një gjykate në Stokholm.
Suedia është aleati më i afërt mbrojtës i Finlandës. Në rast të një konflikti me Rusinë, me të cilën Finlanda ndan një kufi prej 1.300 km NATO-s do t’i duhej territori suedez për të ndihmuar Finlandën të mbrohej. REL