Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio, ka thënë se vendi i tij hedh poshtë me vendosmëri absolute diskutimet për ndryshime kufijsh në rajonin e Ballkanit.
Ai i ka bërë këto deklarata në një fjalim të mbajtur të martën në Kuvendin e Kosovës, teksa i ka konsideruar diskutimet për ndryshim kufijsh si provokime dhe thirrje okulte.
“Vetëm një perspektivë konkrete evropiane është në gjendje të shfuqizojë rifillimin e nacionalizimit dhe aventurizmin e caktuar politik, që do të donte të kthente Ballkanin 30 vjet pas”.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të punojë në kthimin e besueshmërisë në politikën e zgjerimit.
Di Maio ka thënë mes tjerash se Italia është e interesuar që Ballkani Perëndimor të ketë ekonomi stabile të tregut, që ky rajon të stabilizohet në aspektin e sigurisë, duke përmendur anëtarësimin në NATO për vendet aspirante.
Ai ka thënë po ashtu se Evropa të përfundojë procesin e ribashkimit.
“Evropa nuk mund të thotë se është e bashkuar në një çati, për aq kohë sa Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e Bashkimit Evropian”.
Di Maio ka përmendur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është e nevojshme që në Ballkan të mbyllen të gjitha çështjet e hapura mes vendeve fqinje.
Ai ka inkurajuar politikanët nga të dyja shtetet që të çojnë përpara procesin e dialogut, duke thënë se Kosova nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga ky proces, pasi pavarësia dhe sovraniteti i saj territorial nuk janë në diskutim.
Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është me rëndësi historike.
“Që të mund të shikoni përpara, nevojitet një vizion politik dhe forcë për të bërë gjeste konkrete pajtimi. Mbi të gjitha identifikimi i personave të pagjetur gjatë konflikteve të mëparshme dhe kthimi i mbetjeve te familjet e tyre, janë një domosdoshmëri morale dhe akt urgjent për kthimin e dinjitetit për viktimat”, ka deklaruar ai.
Para fjalës së ministrit italian, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se pala e Kosovës është e hapur për takime dhe dialog, me synim arritjen e njohjes së dyanshme.
“Kosova është sinqerisht e interesuar për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi, por zgjidhje mund të jetë vetëm njohja e pavarësisë sonë, të cilën e njohin shumica e shteteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 22 nga 27 vende anëtare të BE-së, 26 nga 30 vende anëtare të NATO-s, dhe në të gjitha këto, edhe Italia”.
Kurti ka thënë se njohja e Kosovës, e ndihmon edhe Serbinë, pasi, sipas tij, e çliron nga mentaliteti “sundues dhe spastrues të trashëguar nga (ish-lideri Slobodan) Millosheviq”.
Raundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është mbajtur më 15 qershor.
Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.
Në fund të takimit, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritura. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik./REL