Ministria e Mbrojtjes ka reaguar mbrëmjen e sotme duke përditësuar informacionin për sa i përket situatës me zjarret përreth vendit tonë.
Ministria thekson se situata paraqitet problematike vetëm në Majën e Runës në Kukës, ku flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit.
Ministria sqaron se po punohet për fikjen totale të vatrave në Karaburun, edhe pse është mbyllur pjesa më e madhe e tyre dhe nuk paraqitet rrezik.
Për sa i përket zjarreve në Gjirokastër, aty ku disa ditë më parë u shënua dhe viktima e parë nga flakët në Shqipëri, Ministria bën me dije se situata është stabilizuar, por mbetet aktive një vatër në Saraccinisht jo problematike.
Njoftimi:
SITUATA E ZJARREVE NË VEND
Pas një pune të palodhur dhe të pandërprerë të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe punonjësve të shërbimeve zjarrfikëse e pushtetit vendor janë arritur të izolohen disa nga vatrat e zjarrit në vend, por ende mbeten active disa të tjera.
Në Karaburun puna po vijon për shuarjen totale të flakëve, edhe pse është mbyllur pjesa më e madhe. Momentalisht nuk ka asnjë rrezik.
Në Gjirokastër situata është stabilizuar. Mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik.
Edhe zjarri në fshatin Gadurovë, në Mallakastër është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri.
Zjarri në fshatin Cukal, në Shkodër vijon të jetë aktiv, por pa rreziqe të evidentuara.
Në malin e Shëngjinit, në Lezhë vatra është izoluar.
Zjarri në fshatin Kalis, në Kukës po mbahet nën kontroll, ndërsa është eleminuar rreziku për banesat.
Ndërkaq problematike situata e zjarrit vijon të jetë në Majën e Rrunës, në Kukës. Flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit, por situata po mbahet nën kontroll për të mos rrezikuar banesa.