Socialistët e Shkodrës janë ndjerë të fyer nga drejtuesja politike e qarkut, Edona Bilali e cila ka shpërthyer me ofendime ndaj anëtarëve prej vitesh të PSsë, që kohët e fundit kanë bojkotuar mbledhjet e Këshillit Bashkiak të qytetit.

Dështimi i mbledhjes të Këshillit Bashkiak të Shkodrës më 23 shtator, për shkak të mosprezencës së anëtarëve që përfaqësojnë Partinë Socialiste të Shkodrës dhe ka detyruar që për herë të parë drejtuesja politike dhe ministrja për Sipërmarrjen, Edona Bilali të thërrasë në një mbledhje tek selia e PS, anëtarët e Këshillit bashkiak që gjithashtu janë pjesë e PS, duke folur me tone të ashpra.

Ministrja Bilali nuk ishte fizikisht në mbledhje, por komunikoi me një lidhje video përmes platformës ZOOM. Të pranishëm në sallë gjithashtu ishin edhe dy bashkëkryetarët e PS, Shkodër Mirela Dodaj dhe Hilmi Lakti. Nga 40 këshilltarë të PS që janë në Këshill në mbledhjen e PS të thirrur nga drejtuesja politike, Edona Bilali morën pjesë vetëm 22 duke munguar 18 të tjerë që nuk u bindën sërish. Ndërkohë kjo mbledhje është shoqëruar me disa debate. Fillimisht drejtuesja politike, ministrja Bilali u shpreh se PS ka në radhët e saj “një pakicë” që e quajti “llumi i partisë”.

Sipas saj, kjo pakicë “nxisin të tjerët për interesat e tyre personale që të bojkotojnë mbledhjet e këshillit bashkiak”. “Unë jam krejt koshiente që ditën që kam ardhur për një llum krejt pakicë në numër, që s’kalojnë as gishtat e dorës, që nga partia kanë marrë çdo gjë nga promovimi deri tek favoret e që partisë ja kanë nxirë fytyrën me hajdutëri e shitje vendesh pune. Kjo është arsyeja që sa të më besohet ky pozicion që kam ky kontingjent do të vijojë të rrijë jashtë selisë së PS Shkodër.

Jo më kot s’kanë më asnjë funksion në parti jo më kot s’janë më pjesë e jetës publike në administratë në qytet. Mos harroni në këshill para qytetit ju jeni PS-ja, nuk jeni individë, e të shkoni mbrapa njerëzve që e kalojnë ditën, duke shkruar tinëzisht pas faqesh anonime, letrash anonime apo komentesh nëpër portale kundër PS-së, meje dhe tashmë drejtuesve të rinj të partisë së bashkisë si e si të krijojnë përçarje për tu kacavjerrë nëpërmjet jush drejt minimajave ku kanë qenë për të vjedhur e marrë fytyrën sërish kjo nuk ndodh më! Për asnjë emër të përveçëm s’do të vuajë më pasojat partia aq më keq qyteti dhe turpin para këtij të fundit do ta mbani me emra të përveçëm pasi sjellja juaj nuk e përfaqëson PS e cila distancohet totalisht nga sjellja juaj e kësaj jave”, tha Balili. Etiketimi si “llumi i PS-së” Shkodër të atyre që nuk marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak për shkak të nxitjes nga individë të tjerë që janë pakicë sipas Bilalit, nuk u pranua nga disa prej këshilltarëve të pranishëm.

Anëtari Hekuran Gjorreta e kundërshtoi drejtuesen politike Bilali, duke thënë: “Ne nuk jemi llumi. Nuk e pranojmë që të quhemi llumi sepse kemi punuar sot por edhe shumë më përpara për PS-në edhe kur shumë të tjerë s’kanë qenë fare në këtë parti. Unë kam siguruar votat për PS”./Syri net