Ligjet kaluan me 72 dhe 73 vota, teksa ra në sy se kuorumi u arrit falë votës së deputetëve të PDIU dhe PSD…
Edi Rama është “falur” sërish te Tom Doshi dhe Shpëtim Idrizi për të siguruar mazhoracën në Parlament.
Kuvendi u mblodh në seancë plenare këtë pasdite, e cila u shty për shkak të ndarjes nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani. Seanca nisi me një minutë heshtje, teksa më pas opozita u largua. Ndërkohë mazhoranca vijoi me votimin e ligjeve. Por, këtë herë në seancë mungonin disa deputetë të PS dhe ligjet nuk do të ishin miratuar nëse në sallë nuk do të ishin deputetët e PSD dhe të PDIU.
Ligji kaloi falë 1 vote të PDIU dhe 2 të PSD
Ligjet kaluan me 72 dhe 73 vota, teksa ra në sy se kuorumi u arrit falë votë së deputetëve të PDIU dhe PSD. Në fillim të seancës ishin të katërt deputetët e PDIU, ku 3 abstenuan dhe një dha votë pro për ligjin e prodhimeve organike. Më pas u larguan Idrizi dhe Mesila Doda, duke lënë në sallë Nusret Avdullën dhe Gëzim Ademajn, që siguronin kuorumin.
Po ashtu, Ramës një dorë i dhanë edhe 2 deputetët e PSD, Gledis Çeliku dhe Gertja Deda. Nëse nuk do të ishin ata, PS sërish nuk e kapte kuorumin prej 71 votash në sallë. Kjo pasi deputetët e PDIU në disa raste abstenuan dhe PS zbriste në 69 apo 70 vota.
Ligji kaloi falë deputetëve të PSD
Shpëtim Idrizi ishte në opozitë, por kandidimi i Fredi Belerit në Himarë shtoi krisjet mes tij dhe Sali Berishës. Më pas nisi afrimi me mazhorancën dhe në shumë raste PDIU ka votuar ligjet e PS.
Ndërkohë Tom Doshi ka qenë gjithmonë krah Ramës. Pak kohë më parë pati një krisje mes tyre, pasi u shkarkuan disa drejtorë në Shkodër dhe kjo bëri që deputetët e PSD të mos jepnin votën, por situata duket se është qetësuar.
Sa i takon rendit të ditës, Kuvendi miratoi ligjin për studentët e mjekësisë, duke vijuar me kufizimet për ata që duan të ikin jashtë. Po ashtu ju dha një tjetër mandat Besnik Dervishit si Komisioner për të Drejtën e Informimit. /Pamfleti