Ministria e Arsimit ka miratuar skemën përmes të cilës do të bëhet renditja e gjimnazeve në Shqipëri.

Do të jenë 12 pika bazë përmes të cilave do të kalojë vlerësimi duke filluar nga infrastruktura, notat mesatare, çmimet kombëtare e ndërkombëtare që marrin nxënësit dhe deri te mirëqenia e tyre.

“Është investimi që bën shkolla, çdo gjimnaz në infrastrukturë. Infrastruktura në shkollë nuk është vetëm për laboratore dhe klasa, por fillohet nga garantimi i sigurisë fizike.

Një tregues tjetër është vlerësimi i mësuesëve në profilet e kualifikimit. Tregues tjetër është shtrirja e kurrikulës. Ruajtja e notës mesatare të nxënësit të klasës së 12 me ato të provimeve të detyruara shtetërore,” tha ajo.

Ministrja e Arsimit në fjalën e saj nënvizoi se renditja do të shërbejë qoftë për të gjetur pikat e dobëta të shkollave për tu përmirësuar, por dhe për transparencë.

“Renditja e gjimnazeve është shumë e rëndësishme dhe i intereson të gjitha palëve, nga vetë gjimnazet për të bërë një krahasim me veten e tyre. Cilat janë pikat e dobëta dhe të forta, ku duhet të përmirësojnë,” tha Kushi.

Renditja kombëtare e gjimnazeve do të realizohet në çdo tre vite.