Mësohet se furgoni kishte më shumë se një muaj i parkuar në zonë, ndërsa prej një muaji ai ruhej me efektivë civilë në mënyrë që të zbuloheshin individët që do të hynin në të.
Fillimisht është ndërhyrë nga Policia Rrugore, si një manovër e agjentëve të policisë, me argumentin se kishte bllokuar rrugën dhe sapo janë konstatuar armët është bërë ndërhyrja nga agjentët e krimeve.
Furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, një kamuflim duket ky nga trafikantët është në emër të të arrestuarit Eugert Sino. Ky i fundit i marë mbrëmjen e djeshme në pyetje nga policia ka mohuar të ketë lidhje me armët me argumentin se nuk ka djeni kush i ka futur aty, në një kohë që furgoni qëndronte i parkuar pranë banesës së tij.
Kujtojmë se sipas informacioneve arsenali i armëve dyshohet se vjen nga Kosova dhe ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga një grup kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e “Myslym Shyrit”, edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në po të njëjtën zonë në afërsi. Armët e kapura janë relativisht të reja, dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova, por nuk kanë lidhje me goditjet e mëparshme që janë bërë për trafik armësh. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit.
I arrestuari Eugert Sino, rezulton me precedent të mëparshëm për vepra penale të ndryshme.
© BalkanWeb






