Arlen Hasanaj, 34-vjeçari që është arrestuar ditën e djeshme se dyshohet si autori që vuri të hënën eksplozivin në shtëpinë e kreut të FSHF-së, Armand Duka, nuk ka pranuar akuzën. Ai nuk ka pranuar të flasë për asgjë tjetër, përveçse ka thënë se është arrestuar kot nga autoritetet.

Arlen Hasanaj rezulton se është kushëri dhe person i afërt me Krenar Hasanajn, i cili ka qenë deri para pak kohe administrator në kompaninë Kantinta ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’, në pronësi të familjes Koka. Krenar Hasanaj sipas këtyre dokumenteve ka qene edhe administrator i kantinës në pronësi të Lefter e dhe Nar Kokës, por në periudha të ndryshme edhe aksioner. Duke qenë se ka dyshime se mes Armand Dukës dhe vëllezërve Koka ka pasur konflikte këto vitet e fundit, edhe pse kanë marrëdhënie familjare. Dhe Arlen Hasanaj mund të jetë përdorur për të çuar mesazh.

Ndërkohë që pista tjetër është ajo e inskenimit nga ana e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka për të larguar vëmendjen nga lajmet e fundit për skandale në drejtim të FSHF-së. Ndërkohë që të tjerë persona janë shoqëruar nga policia.

Mbrëmjen e djeshme u arrestua 34-vjeçari Arlen Hasanaj, i cili rezulton pronar i një biznesi privat në qytetin bregdetar, më konkretisht i kompanisë ‘Euroshop Durrës’ themeluar në korrik të 2020, me ortak Albi Lika.

Kjo kompani ka si veprimtari përveç market bar-kafes, edhe në fushën e prodhimit, magazinimit të prodhimeve të ushqimeve blegtorale e bujqësore. Dyshimet e para janë se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti për biznesin, kjo pasi siç Report Tv mëson, kur inspektorët e Tatimeve shkuan 2 ditë më parë për kontroll në ambientet e kompanisë së vezëve “Aiba”, në pronësi të kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe vëllait të tij deputet, Agron Duka thanë se kanë pasur denoncim nga një klient i pakënaqur, që mendohet të jetë ‘Euroshop Durrës’. Pikërisht ky klient i pakënaqur dyshohet të jetë 34 vjeçari Arlen Hasanaj, i cili është edhe pronar i një dyqani vetëm 500 metra larg nga shtëpia e Dukës në Durrës, pikërisht aty ku dje vendosi lëndën plasëse.

Report Tv solli më herët të gjithë videon e plotë, ku referuar pamjeve duket se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:03. I riu, të cilin dyshimet e Policisë janë se është Arlen Hasanaj, vjen me makinë, del dhe afrohet me qetësi dhe ndez me çakmak fitilin e lëndës plasëse tritol, sasia e vogël as 100 gram, dhe më pas e hedh te porta e hekurit. Pasi hedh lëndën plasëse, i riu largohet me vrap, ndërsa brenda pak sekondash ndodhi edhe shpërthimi. Askush nga familja e Dukës nuk ka dalë, ndërkohë që në video duket një grua përballë që del nga shtëpia dhe më pas brenda pak sekondave vjen policia.

FSHF dhe Armand Duka kanë qenë kryefjala e lajmeve ditët e fundit, kjo për shkak të zbulimit të skandaleve të njëpasnjëshme dhe tentativës së tij për të marrë një mandat të 6-të duke manipuluar zgjedhjet. E përballë këtyre tentativave është Bashkia e Tiranës, e cila e ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e kryeqytet. Duka e ka lidhur këtë ngjarje me këtë situatë, ku ka thënë se është kërcënuar me jetë nëse nuk le postin, e ndërsa PS-ja ka kërkuar që kjo ngjarje të mos politizohet.

(BalkanWeb)