Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis pritet që të zhvillojë ditën e sotme një vizitë në Turqi ku do të takohet dhe me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.
Sipas mediave, në fokus të bisedimeve do të jetë Manastiri i Chores, për të cilin Mitsotakis pritet të shtrojë shqetësimin në lidhje me kthimin e tij në xhami, ndërsa Erdogan ka thënë se nuk është i interesuar për konflikte.
Në këtë takim pritet që të diskutohen të gjitha çështjet e agjendës dypalëshe, ndërsa do të përcaktohet edhe orari i kontakteve të radhës në nivel të dialogut politik.
Kyriakos Mitsotakis shkon për herë të parë në mandatin e tij, por dhe në jetën e tij, në kryeqytetin turk për takimin e katërt me Erdogan këto kohët e fundit, këtë herë në “Pallatin e Bardhë”.
Një element kyç që do të dalë nga takimi i Ankarasë është udhërrëfyesi i takimeve të mëpasshme. Mitsotakis dhe Erdogan pritet të takohen në Nju Jork në shtator, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa do të përkojnë edhe me Samitin e NATO-s në Uashington në korrik.
Sipas mediave greke Mitsotakis do të pritet rreth orës 15:30 nga Erdogan. Kryeministri grek dhe lideri turk do të bisedojnë privatisht së bashku me katër bashkëpunëtorë të tyre. Mitsotakis do të shoqërohet nga Giorgos Gerapetritis dhe këshilltarja e tij diplomatike Anna Maria Boura , Tayip Erdogan nga Hakan Fidan dhe Akif Tsagatai Kilic .
Takimi pritet të zgjasë rreth 1.5 orë, përpara se liderët të kalojnë në diskutime të zgjeruara me të gjithë delegacionet, ndërsa do të vijojnë deklaratat dhe darka, me nisjen e Mitsotakis nga Turqia në orën 21:00.