Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis i ka dërguar sërish sot një mesazh të ri lidershipit shtetëror dhe politik të Maqedonisë së Veriut për çështjen e përdorimit të emrit “Maqedoni” dhe vënien në pikëpyetje praktike të Marrëveshjes së Prespës.
Mitsotakis u shpreh se nëse udhëheqja e re e Shkupit këmbëngul në retorikën provokuese, atëherë rruga e tyre evropiane do të mbetet e mbyllur.
“Jam i pakënaqur që fqinjët tanë veriorë kanë zgjedhur në këtë moment të kthehen në kohë dhe të vënë në dyshim emrin e vendit të tyre. Kur u votua Prespes, ND-ja ishte kundër por kishte thënë se nuk mund të prishim një marrëveshje ndërkombëtare me ligj dhe nen. Unë duan të dërgoj një mesazh disa kilometra larg kufijve tanë, në Shkup: nëse ata këmbëngulin në sfidimin e thelbit të marrëveshjes për emrin e vendit, dijeni se rruga e tyre evropiane do të mbetet e mbyllur. Dhe këtë nuk e them me gëzim.”, tha ndër të tjera Mitsotakis duke folur në një tubim të qytetarëve në Follorinë.
Mitsotakis gjithashtu theksoi se reagimi i Komisionit ndaj deklaratave të papranueshme të presidentes Gordana Silianovska është bërë me nxitjen e Greqisë.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska, gjatë betimit të saj e quajti vendin “Maqedoni”, edhe pse në tekstin e betimit, të cilin e lexoi kryetari i Kuvendit në largim Jovan Mitreski, i bëri thirrje që vendit t’i referohej si “Maqedonia e Veriut”. Ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filipidu, e ftuar në seancë, u largua në shenjë proteste për faktin se kjo e fundit gjatë betimit i referohej vendit si “Maqedoni”. Betimi i presidentes u komentuar gjerësisht dhe shkaktoi reagime të shumta. 71-vjeçarja Gordana Silianovska u zgjodh presidente e Maqedonisë së Veriut në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit, si kandidate e VMRO-DPMNE-së, duke mposhtur presidentin aktual Stevo Pentarovski.