Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka përshëndetur vendimin e vendeve anëtare në Këshillin e Europës, të cilat mbrëmjen e kësaj të enjteje vendosën t’i japin Kievit statusin e vendit kandidat, duke çelur zyrtarisht rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.

Zelensky shkroi në Twitter se ky është “një moment unik dhe historik” në marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Ukrainës. Vendi i tij prej më shumë se tre muajsh ndodhet nën pushtimin e egër rus.

Përgëzoj sinqerisht vendimin e liderëve të BE-së në Këshillin e Europës për të dhënë Ukrainës statusin e kandidatit. Është një moment unik dhe historik në marrëdhëniet e Ukrainës me Europën Mirënjohës ndaj Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe liderët e BE-së për mbështetjen. E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së”, shkruan presidenti Zelensky.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba gjithashtu shkroi në Tëitter se “Ukraina do të mbizotërojë. Evropa do të mbizotërojë.”

Tweet-i i tij, i shoqëruar nga një video e shkurtër me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, thoshte: “Sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të gjatë që do të ecim së bashku. Populli ukrainas i përket familjes evropiane. E ardhmja e Ukrainës është me BE-në. Ne qëndrojmë së bashku për paqen.”