Më shumë se 110 monumente kulture që gjenden në territorin e bashkive Sarandë, Finiq dhe Konispol të shtrira në një territor prej 1097 km² dhe më shumë se 200 të tilla në territorin e qarkut të Gjirokastrës, prej gjendjes faktike në terren, rezultojnë të kenë një shkallë degradimi dhe denatyrimi të shpejtë.

Një pjesë e përgjegjësive të lidhura me gjendjen kritike të 1/3 së monumenteve që janë kryesisht kisha, ura, rrënoja manastiresh apo mbetje të qytetërimeve antike dhe mesjetare  lidhen me njësitë vendore. Ligji 9048 i vitit 2003 i detyron këto njësi të mbrojnë trashëgiminë por nuk përcakton format.

Një tjetër arsye e denatyrimit të shumë monumenteve në Konispol, Sopik, Delvinë, Kostar, Jergucat, Zagori janë vetë banorët e këtyre komuniteteve të cilët kanë marrë përsipër transformimin e monumenteve për ti bërë ata funksionalë. Kostandtinos Giakumis, studiues bizantolog, vëren se situata mund të agravojë nëse nuk do të mbrohet identiteti i këtyre monumenteve.

Në këtë hapësirë asete të rralla të trashëgimisë të tilla si tempulli antik në Metoq, manastiri i 40 Shenjtorëve, kisha e shek. XII në Ciflig, kalaja e Kalivoit e shek. IV para krishtit në Xarrë, puset e Dhrovjanit, rrënojat mesjetare të Kamenicës, kishat e Zagorisë, kisha e Vraho Goranxisë, Jergucatit, Pepelit, Dhuvjanit në Dropull dhe shumë monumente të tjera janë nën kërcënim degradimi.

Shqetësues është gjithashtu rrënimi i banesave tipike të mbrojtura, një pjesë e të cilave i përkasin personaliteteve të kulturës, historisë, artit dhe muzikës si dhe mungesa e studimeve dhe interesit shkencor për të gjithë gamën e monumenteve.

Njësitë vendore megjithëse janë të interesuara për shfrytëzimin turistik të këtyre aseteve janë skeptike mbi kontributin që mund të japin për shkak të mungesës së fondeve dhe mungesës së sanksionimit të qartë të përfitimeve për këto njësi.

Top Channel