Kreu i KLP Alfred Balla ka zbuluar sot në raportimin në komisionin e ligjeve se gjatë vitit 2021, tetë prokurorë kanë kërkuar mbrojtje pasi janë ndier të kërcënuar për jetën.

Numri total i prokurorëve që kanë kërkuar mbrojtje nga KLP për vitin 2021 ka qenë tetë”, tha Balla.

Alfred Balla: Gjithashtu ka funksionuar dhe komisioni i mbrojtjes së prokurorëve në rastet kur cenohet jeta, tërësia fizike e prokurorit apo familjarëve të tij me kërkesë të prokurorit pranë KLP, funksionon komisioni i drejtuar nga një anëtar i këshillit, i përbërë dhe nga drejtuesi i prokurorisë ku ushtron funksionet prokurori që kërkon mbrojtje, përfaqësues i strukturave të policisë etj.

Pra është mbledhur për 8 raste është ofruar mbrojtje prokurorëve të Republikës por këto raste mund të jenë me afate kohore, 3 mujore, 6 mujore por mund dhe të jenë ripërsëritur dhe komisioni është mbledhur disa herë. Numri total i prokurorëve që kanë kërkuar mbrojtje nga KLP për vitin 2021 ka qenë tetë.

Ndër të tjera në raportimin e tij, kreu i KLP tha se “për fat të keq gjatë 2021 nuk kemi pasur asnjë emërim të ri prokurorësh pra s’ka dalë asnjë prokuror nga shkolla e magjistraturës.

Gjatë 2021 jemi marrë dhe me procedime disiplinore. Nga ILD kanë ardhur 5 procedime disiplinore 3 të cilat i kemi trajtuar, shkarkuam dy prokurorë e kemi dhënë vërejtje publike një prokurori tjetër. Dy të tjera janë në dorë ose trajtuar në 2022.

Gjatë 2021 bëmë pezullime të prokurorëve për fat të keq, kemi pasur dy prokurorë të arrestuar e një prokuror me arrest në shtëpi, e jemi detyruar që për të tre të marrim masën e pezullimit nga detyra”.