Ish-ministri koreano-jugor i mbrojtjes, Kim Yong-hyun, i cili mori mbi vete përgjegjësinë e plotë të përpjekjes së dështuar të presidentit për ta vendosur vendin javën që shkoi nën ligjin ushtarak, është përpjekur t`i japë fund jetës.
Autoritetet e gjetën atë teksa tentonte vetëvrasjen në qendrën e tij të paraburgimit mbrëmjen e së martës. Pas urdhrit tronditës të presidentit Yoon Suk Yeol për gjendjen e jashtëzakonshme, Kim dha dorëheqjen së bashku me disa pjesëtarë të stafit të ngushtë të kreut të shtetit.
Ai u ndalua të dielën për hetime, përpara se të arrestohej zyrtarisht me akuzën e rebelimit. Gjendja e tij shëndetësore pas aktit ekstrem, konsiderohet e qëndrueshme.
Kim është ndër zyrtarët më të lartë që po përballen me hetime për rolin e tyre në urdhrin e ligjit ushtarak jetëshkurtër të Yoon, i cili ka shkaktuar zemërim të gjerë në Korenë e Jugut.
Dhjetëra mijëra vetë kanë dalë nëpër rruge duke kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e kreut të shtetit, i cili gjithashtu po hetohet nën dyshimin e rebeleimit.
Edhe pse ka kërkuar ndjesë publike për shpalljen e ligjit ushtarak, Yeon nuk i ka pranuar thirrjet në rritje për të dhënë dorëheqjen. Policia ka bastisur sakaq zyrën e tij në Seul.
Forcat e rendit thane se kanë fituar të drejtën e kontrollit në zyrat e shërbimit civil, megjithatë, por nuk kanë qenë në gjendje të hyjnë në ndërtesën kryesore të zyrës së Yoon, e cila është e bllokuar nga rojet e sigurisë.
Partitë e opozitës dhe shumë ekspertë insistojnë se dekreti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ishte antikushtetues.
Ata thonë se me ligj presidentit i lejohet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme vetëm në “kohë lufte” apo emergjenca të tjera kombëtare” dhe se Koreja e Jugut nuk ishte në një situatë të tillë.
Top Channel