Erion Murataj PSD

Akuzat për mitëmarrje i sollën ish ministrit austriak të financave në 2020-tën një dënim me tetë vjet heqje lirie.

Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë të vendit, e cila e përgjysmoi tani dënimin, por Karl-Heinz Grasserit sërish do t`i duhet të kalojë katër vjet në burg. Gjykata pohoi se ka prova që ish-politikani i partisë FPÖ ka shpërdoruar postin dhe ka pranuar dhurata dhe ryshfet, por e përgjysmoi masën fillestare të dënimit me burg.

Ajo po ashtu rrëzoi vendimin e dënimit për falsifikim provash të marrë ndaj ish-ministrit Grasser nga shkalla e pare. Akuza ndaj Grasser ishte se në vitin 2004 i kishte dhënë një investitori privat informacione të rëndësishme lidhur me çmimin që kërkohej për shitjen dhe privatizimin e 60,000 apartamenteve që i takonin shtetit.

Në këtë mënyrë kompania e pasurive të paluajtshme e investitorit në fjalë arriti të sigurojë kontratën si ofertuesja më e lartë. Grasser dhe pjesëmarrësit e tjerë thuhet se kanë marrë për këtë shpërblime prej 9.6 milionë eurosh. Ky është dënimi më i lartë i dhënë ndonjëherë në Austri për ndonjë politikan.

Kryetarja e trupit gjykues u shpreh se “kemi të bëjmë me krime të rënda dhe të pa precedentë në vend”. Grasser dhe avokati i tij thanë se vendimi shkel ligjin dhe drejtësinë dhe njoftuan se do të ankohen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Megjithatë ky hap nuk ka efekt ndaj vendim dhe nuk çon në shtyrjen e dënimit me burg.