Izraeli do të ofrojë dozën e katërt të vaksinës anti-COVID për personat mbi 60 vjeç.
Një panel ekspertësh të Ministrisë së Shëndetësisë rekomandoi dozën e katërt, një vendim që u mirëprit nga kryeministri Naftali Bennett si “lajm i mrekullueshëm që do të na ndihmojë të kapërcejmë valën Omicron që po përhapet në mbarë botën”.
Edhe pse vendimi është në pritje të miratimit zyrtar nga zyrtarë të lartë shëndetësorë, Bennett u kërkoi izraelitëve që të marrin dozën e katërt sa më shpejt të jetë e mundur.
“Mesazhi im është mos humbisni kohë, shkoni vaksinohuni”, tha ai.
Vendimi vjen pas vdekjes së parë të një pacienti me variantin Omicron në Izrael. Viktima ka qenë një burrë rreth të gjashtëdhjetave me sëmundje shoqëruese. Ai ka ndërruar jetë 2 javë pasi ishte shtruar në spital. /abcnews.al