Në një fjalim mbi atë çka është politika, kryeministri Edi Rama është duke mbajtur një fjalim të gjatë përpara të rinjve të FRESSH, të cilëve ju ka kërkuar që të jenë sa më aktiv në jetën publike.

Rama ka treguar dhe momentin e angazhimit të tij politik, në vitet e rrëzimit të diktaturës, ku tha se u nxit nga kërkesa për liri artistike.

Sipas Ramës vetëm bashkimi i njerëzve, përmes politikës do të mund të sjellë ndryshimin real të shoqërive.

“Pavarësisht problematikës që është reale, dhe përtej breshërisë së klikimeve të lajmeve që çukisin në kokat e qullosura, që hidhen mbi njëra tjetrën pa pushim, si mallrat e rrobave të gabit, që të zë koka dhe të bllokohen hundët, politika mbetet e patjetërsueshme për rolin e saj në shoqëri.

Politika është një gjë e mirë që mund të jetë edhe e keqe! Nëse e thua sot, rrezikon të quhesh provokator, që i thur lavde një kufome që kutërbon ere. Njerëzit nuk e heqin dot qafe, ku merr jetë, ku merr frymë shoqëria njerëzore, politika nuk duhet lënë në duart e të tjerëve, si kopili në dyert e të tjerëve.

Të ishte për politikanët e sotëm, ndryshimi nuk kishte për të ndodhur kurrë, nuk do të kishte pasur as lëvizje demokratike. Unë nuk kisha atëherë asnjë ambicie politike, isha pedagog në akademinë e arteve, mua më mjaftoi liria e fituar dhe vazhdova jetën time si artist, pse u ngatërrova unë me politikë në atë kohë? Sepse ishte politika shkak i kufizimeve të mija si artist, që nuk ishin tmerr vetëm për mua, por për të gjithë bashkësinë time në akademinë e arteve.

Si mund ti zhvishja unë modelet tona me rroba banjo në galeritë e arteve, dhe si mund ti bëja unë me ngjyrat që doja pikturat e mija. Unë vetëm në këtë mënyrë mund të fitoja lirinë krijuese, ne i thyem ato kufij, sensi i politikës është liria. Politika si profesion, janë kurorëzim i proceseve politike.

Sa më larg që ti rrini ju politikës, aq më shumë do të hani dynjanë, qoftë dhe me gjëra të vogla të jetës suaj të përditshme, që vetëm i vuani nëse jeni vetëm”, tha Rama.