Mediat italiane kanë publikuar përmbajtjen e një shënimi që Shkëlqim Bedeli do të linte për njërin nga djemtë e tij, pasi kishte mbytur bashkëshorten dhe para se të ndërmerrte aktin tjetër tragjik, të vriste edhe veten.
Në një letër që e kishte varur diku pranë hyrjes së banesës, 56-vjeçari udhëzonte të birin të mos hynte në banesë sepse do përballej me një pamje të trishtë.
“Mos u ngjit, nuk do të të pëlqejë ajo që do të gjesh”, shkruhej në letër.
Ky ishte mesazhi për një nga djemtë e çiftit, i cili jetonte me prindërit, por ditët e fundit, ai ishte nisur me pushime dhe nuk ndodhej në banesë kur ka ndodhur ngjarja shokuese.
Krimi i dyfishtë në familjen shqiptare që ka tronditur komunitetin e Cazzago San Martino në Brescia, është konfirmuar tashmë që ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje.
Shegushe Paeshti, e cila mbeti viktimë nga duart e bashkëshortit të saj, ishte 55-vjeçe dhe punonte në një kompani në Erbusco.
Të enjten në mëngjes ajo nuk u paraqit në punë dhe fëmijët nuk kishin qenë në gjendje të kontaktonin me prindërit e tyre për orë të tëra. Zilja në celularë binte por askush nuk përgjigej.
Të shqetësuar, fëmijët e çiftit kanë lajmëruar policinë. Efektivët se bashku me zjarrfikësit mbërritën në zonë dhe hynë nga dritarja, rreth orës 10 të mëngjesit, për t’u përballur me skenën horror të krimit.
Mjeku ligjor faktoi se krimi i dyfishtë datonte mbrëmjen e të mërkurës.
Siç shkruajnë mediat italiane, Shkëlqim Bedeli u gjet pak më larg trupit të pajetë të varur të bashkëshortes së tij.
Ai i kishte duart dhe këmbët të lidhura, që sipas mediave është një detaj që tregon se Bedeli bëri çmos për të parandaluar që instinkti i tij i mbijetesës të tejkalonte vullnetin e tij për të vdekur.