Me reformën e vitit 2014, mosha e daljes në pension për gratë rritet me 2-3 muaj në vit. Nëse vitin e shkuar një grua duhet të kishte 38 vite vjetërsi pune, për të dalë në pension 61 vjeçe e gjysmë,  këtë vit ajo del në pension gati 62 vjeçe.

Mosha e daljes në pension, qeveria po mendon përshpejtimin e saj,

Mosha e daljes në pension deri në vitin 2056 është përllogaritur në 67 vjeç, por qeveria po mendon që kjo të arrihet para vitit 2040. “Do të fillojë rritja e moshës së pensionit për burrat në vitin 2032 dhe në vitin 2056 është parashikuar që të ketë barazim të moshës së daljes në pension për burrat e gratë, që do të jetë 67 vjeç. Mund të diskutojmë një përshpejtim të zbatimit të rritjes së moshës së pensionit por jo një rritje në vetvete përtej moshës 67 vjeç”, tha Olta Manjani, zëvendësministre e MEKI.

Zëvendësministrja e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tregoi edhe rreziqet që i kanosen skemës në pensioneve nëse ndërhyrjet e parashikuara nuk ndodhin. “Nëse nuk do të bëjmë asnjë lloj ndryshimi të variablave të tjerë raporti kontribuues-përfitues deri në vitin 2080 rrezikon të shkojë në 0.77 kontribuues për 100 përfitues”, tha Manjani.

Në pritje të ndërhyrjeve, kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado sqaroi edhe pse pensionistët e rinj  po marrin më pak para. “Nga 33 vjet që e kemi pasur mesataren e daljes në pension në 2013-n, na ka zbritur në 27.5 vite. Kjo do të thotë se çdo shqiptar që del në pension, ka më pak vite pune”, tha Astrit Hado, kreu i ISSH.

Ndonëse i njohur për propozim të politikave sociale, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi surprizoi nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat. “Rritja e moshës së daljes në pension… unë nuk jam kundër. Pse? Nuk e ka efektin sot. E ka pas 10 viteve. Edhe mosha e daljes në pension do të ndryshojë. Nuk do të jetë kaq tragjike që një grua të dali 68 vjeçe në pension”, tha ai.

Një në pesë shqiptarë sot është i moshuar. Nga rreth 2.4 milionë qytetarë në total, më shumë se 473 mijë janë mbi 65 vjeç. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë që sot kërcënon më shumës e kurrë skemën e pensioneve. (A2