Mosmarrëveshjet që mund të lindin mes konsumatorëve dhe shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve do të kenë një formë alternative të zgjidhjes përmes një strukture të re që parashikohet të ngrihet pranë Entit Rregullator të Ujit (ERRU).
Në një draft rregullore të hartuar nga ky institucion dhe të nxjerrë për konsultim parashikohet për herë të parë ngritja e SZAM që është Struktura për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve. Në këtë strukturë janë tre anëtare pjesë e organikës së Entit dhe që do të trajtojnë ankimimet që vijnë nga pala e konsumatorëve për raste të ndryshme të lidhur me ujësjellësit.
“Struktura për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve (SZAM) është një strukturë e përhershme me 3 anëtarë të cilët janë pjesë e organikës së ERRU-së, përgjegjës për zgjidhjen e një mosmarrëveshje përmes një procedure të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve midis konsumatorëve dhe operatorëve UK” thuhet në draftrregullore.
E njëjta përcakton se gjatë procesit të shqyrtimit të mosmarrëveshjes palët nuk e kanë detyrimin që të kenë një avokat ose këshilltar ligjor. Çdo ujësjellës në faqen e tij të internetit është i detyruar që ta bëjë të dukshme ekzistencën e kësaj strukture të re dhe si një formë alternative që u ofrohet konsumatorëve kur kanë mosmarrëveshje me ujësjellësit.
Dokumenti i ERRU parashikon formularin që paraqitet nga konsumatori pranë strukturës dhe që mund të dorëzohet në çdo lloj forme qoftë me postë ose dorazi.
“Rezultati i procedurës së ZAM-it i njoftohet palëve brenda një periudhe prej 90 ditësh kalendarike, nga data në të cilën struktura ZAM ka marrë të gjithë dosjen e ankesës. Kur e gjykon të nevojshme, struktura ZAM mund ta zgjasë afatin prej 90 ditësh kalendarike.