Moti i keq ka goditur mbrëmë ishullin Elba, i cili ndodhet përballë bregdetit të Toskanës.

Zjarrfikësit janë mobilizuar menjëherë për të shpëtuar dhjetëra banorë, të cilët nuk kanë mundur të largohen nga banesat e tyre pasi niveli i ujit për shkak të shiut të pandërprerë ka ardhur vazhdimisht në rritje.

Spitali i ishullit u mbyll për shkak të rrugëve të përmbytura, ndërsa shumë makina u përfshinë nga ujërat e vrullshëm. Njëzet e tetë shoferë, të bllokuar brenda makinave të tyre, u shpëtuan falë ndihmës së zjarrfikësve dhe anëtarëve të Mbrojtjes Civile.

Një shkollë kërcimi, e cila strehonte nëntë fëmijë dhe tre mësues, u evakuua gjithashtu.

Deri më tani nuk raportohet për të lënduar. Kryebashkiaku u kërkoi banorëve të shmangin udhëtimet, ndërsa shkollat ​​në ishullin Elba do të qëndrojnë të mbyllura deri të hënën.

(BalkanWeb)