Moti i keq ka përfshirë Italinë. Mediat italiane bëjnë të ditur se rajonet më të prekura janë Toskana dhe Liguria me reshje shiu dhe përmbytje, ndërsa është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve dhe policisë bashkiake në disa qendra të ndryshme.
Në Chiavari në Genova, lumi Entella doli nga shtrati duke përmbytur zonën, ndërsa një rrëshqitje dheu në Val Fontanabuona shkaktoi evakuimin e katër familjeve si masë paraprake.
Në Firence, shiu dhe era e fortë krijuan probleme për trafikun e qytetit, ndërsa tramvajet (linjat T1 dhe T2) u detyruan të ndalonin. Në disa zona, si në Soffiano, rrugët janë zhytur në ujë, me shoferë të detyruar të qëndrojnë të bllokuar në automjetet e tyre. Bashkia ka raportuar disa ndërhyrje për shkak të përmbytjeve të rrugëve në zona të ndryshme të qytetit, nga Oltrarno në Galluzzo.
Kryetarja e Bashkisë Sara Funaro u ka bërë apel qytetarëve të bëjnë kujdes kur udhëtojnë.
“Kini kujdes kur udhëtoni. Një stuhi e fortë dhe e papritur ka prekur Firencen dhe qytetin metropolitan. Disa nënkalime dhe rrugë janë prekur nga përmbytjet. Situata është nën kontroll dhe po përmirësohet”, nënvizoi kryebashkiakja.
Moti i keq po prek të gjithë rajonin e Toskanës, duke lëvizur nga bregu i Livornos drejt provincave Empoli, Pistoia dhe Prato. Rajoni ka dhënë alarm portokalli për zonat veriore, ndërsa parashikimet tregojnë se paqëndrueshmëria mund të vazhdojë edhe në orët e ardhshme.
Ndërsa Liguria ka kaluar nga alarmi i kuq në portokalli dhe të verdhë. Në 24-36 orët e fundit janë regjistruar reshje shumë të dendura në qendrën lindore të Ligurias dhe erëra të forta me mbi 100-120 km/h. (A2