Sipas Emergjencave Civile bëhet me dije se këtë mesjavë akset rrugore nacionale dhe segmentet kryesore të rrugëve rurale janë të hapura dhe nuk ka më probleme për qarkullimin e automjeteve. Në akset ku ka pasur borë apo ngrica nga firmat kontraktuese është bërë pastrimi i dëborës si edhe është kryer kriposja në të gjitha segmentet problematike.
Në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Qafë Thanë në “Kthesat e Qafë Thanës ” ku temperaturat zbritën deri -6 gradë C, prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure është punuar nga borëpastrueset dhe është hedhur kripë në rrugë për të evituar ngricat.
Në aksin rrugor Librazhd-Steblëve -Bulqizë qarkullimi edhe këtë mesjavë është i mundur vetëm me zinxhirë e goma dimërore në segmentin nga Borova në Steblevë , ndërsa në pjesën tjetër nga sot qarkullimi kryhet normalisht.
Edhe akset e tjera të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit janë te hapura dhe në zonat problematike është hedhur kripë.
Në disa bashki si në atë të Elbasanit, Librazhdit , Prrenjasit e Gramshit vijon puna për hapjen e rrugëve rurale që lidhin fshatrat malorë me Njesitë Administrative. Në bashkinë e Elbasanit po punohet në aksin Elbasan-Labinot Mal, Elbasan-Funarë.
Në këtë bashki nuk ka dalje nga shtrati dhe probleme me prurjet e lumenjve e përrenjve malorë pasi prurjet e tyre janë në kuotat normale.
Edhe situata e furnizimit me energji elektrike paraqitet mjaft e përmirësuar në krahasim me ditët e para të kësaj jave.
Pa energji janë edhe disa fshatra në Nj.A Polis e bashkisë Librazhd dhe Nj.A Bishqem bashkia Peqin,Nj.A Funar bashkia Elbasan, si dhe kanë defekte të rënda kabinat elektrike në qytetin e Prrenjasit dhe një në bashkinë Gramsh dhe në terren po punohet nga dhjetëra punonjës të OSHE për riparimin e të gjitha dëmeve e defekteve të shkaktuara nga moti i keq.