Një aksident tragjik u mori jetën një ditë më parë dy të rinjve nga Vlora. Luan Llanaj, 19-vjeç dhe shoku i tij 16-vjeçar Tomorr Mbrati humbën jetën pasi u aksidentuan me motorin me të cilin ishin duke udhëtuar.

Dy djemve, të cilët ishin shokë nga lagjia, shkolla dhe puna dhe ndanin së bashku çdo moment iu prenë ëndrrat në mes krejt papritur.

Mes dhimbjes së të afërmve, lotëve të miqve dhe të atyre që njohën Llanajn dhe Mbratin, dy të rinjtë do të përcillen këtë të hënë për në banesën e fundit.

Kujtojmë se aksidenti tragjik ndodhi një ditë më parë në rrugën “Demokracia”. Motori tip Piaggio me targa AK653 me të cilin po udhëtonin dy të rinjtë ka humbur kontrollin për shkaqe ende të paqarta dhe përfundoi jashtë rrugës.

Fillimisht motomjeti u përplas me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë tjetër druri, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Si pasojë në vendin e ngjarjes humbi jetën 19-vjeçari Luan Llanaj, ndërkohë që adoleshenti, Tomorr Mbrati ndërroi jetë disa orë më vonë në spitalin e Vlorës.

Fatkeqësisht i riu nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha për ta mbajtur atë në jetë.

Gjithashtu, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në Spitalin e Traumës edhe shtetasi i mitur T. M., 16 vjeç, i cili udhëtonte si pasagjer. Në përfundim të veprimeve hetimore, materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale”, njoftoi Policia dje.