Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe e ish-krerëve të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, pritet të paraqesë mocionin për rrëzimin e disa prej pikave të aktakuzës më datë 2 qershor.

Ndërkohë, avokati i licencuar në Gjykatën Speciale, Artan Çerkini, u shpreh në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës se pas mbrojtjes, prokuroria ka një muaj kohë që t’i përgjigjet këtij mocioni.

“Sipas kësaj procedure, Prokuroria e përfundon paraqitjen e rastit të saj, prezanton të gjitha provat dokumentare dhe dëgjon të gjithë dëshmitarët. Vetëm pas kësaj faze, mbrojtjes i jepet mundësia të paraqesë mocionin për rrëzimin e aktakuzës, duke argumentuar se provat e Prokurorisë nuk e përmbushin standardin e nevojshëm për të shpallur fajtor të pandehurit në lidhje me pikat përkatëse të aktakuzës,” u shpreh Çerkini.

Çerkini ka deklaruar se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore të lirimit me kusht të ish-krerëve të UÇK-së. Ai shtoi se masa e paraburgimit është më e rrepta për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. 

“Mendoj që tani janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht, ngase paraburgimi është masa më e rreptë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. Përveç paraburgimit, ekzistojnë edhe masa të tjera alternative. Sa më shumë të avancojë procedura, aq më shumë duhet të zbuteshin masat e sigurisë,” deklaroi Çerkini.

Kujtojmë që katër ish-krerët e ushtrisë së UÇK ndodhen në Hagë, pasi akuzohen për krime lufte. Në paraburgim ndodhet ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.