Komisionerja për zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos ka folur për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për median gjermane WELT, Kos vlerësoi reformat e integrimit të Shqipërisë dhe deklaroi se mundësitë që Shqipëria të bëhet pjesë e BE në vitin 2030 janë shumë të mëdha.
“Mund ta kuptoj shumë mirë zhgënjimin në Ballkanin Perëndimor. Unë vij nga kjo zonë. Po ju paraqes një krahasim. Nëse Ukraina do të duhej të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut, ne do të fillonim negociatat me Ukrainën në vitin 2045. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Kjo vlen edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ne kemi Malin e Zi dhe Shqipërinë, që po ecin shumë mirë me reformat e integrimit. Ata e kuptojnë procesin e zgjerimit si një transformim të ekonomisë së tyre, duke përfshirë edhe fusha të tjera të jetës.
Nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë mirë, ne mund të përfundojmë të gjithë kapitujt e negociatave me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe më pas me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Kjo do të thotë se ka mundësi reale që të dyja këto shtete të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030”, shprehet Kos.