Qeveria e Kubës, nëpërmjet Ministrisë së Industrisë Ushqimore, ka pranuar se për shkak të mungesës së miellit të grurit, nuk do të mund të garantojë bukën që i ofrohet popullatës përmes librezës së furnizimit deri në fund të marsit.

“Në ditët në vijim, prodhimi i bukës do të ndikohet seriozisht në çdo territor, për shkak të paqëndrueshmërisë në furnizimin e lëndëve të para”, shpjegoi drejtori tregtar i Empresa de Molineria (kompania shtetërore e prodhimit të bollgurit), Zaily Perez Hernandez, cituar nga faqja zyrtare e Cubadebate.

Ishulli importon rreth 80% të produkteve që konsumon. Dhe në vitet e fundit ka nënshkruar marrëveshje me vendet aleate, si Rusia, për të garantuar hyrjen e miellit të grurit për të bërë bukë, një element kryesor i dietës kubane.

Vendi i Karaibeve ka pesë mullinj për përpunimin e grurit: tre në Havana, një në Santiago de Kuba (lindje) dhe një tjetër në Cienfuegos (juglindje).

Kubës i nevojiten 20 mijë tonë në muaj vetëm për të prodhuar bukë për shportën e rregulluar të familjes. Megjithatë, për momentin, i vetmi në funksion është ai në Cienfuegos dhe prodhon vetëm 250 tonë miell në ditë.

Kriza me shpërndarjen e bukës përkon me rikthimin e ndërprerjeve elektrike për shkak të mungesës së karburanteve në dy muajt e fundit.

Kompania shtetërore Union Electrica (Une) vlerësoi se të dielën ka pasur ndërprerje të njëkohshme të energjisë në pothuajse 32% të ishullit në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, koha me konsumin më të lartë.

E gjithë kjo në një kohë kur xhevahiri i Karaibeve është goditur nga një recesion i rëndë ekonomik, i theksuar vitet e fundit jo vetëm nga sanksionet amerikane, por edhe nga pandemia.