Operacioni në krah ka shkuar shumë mirë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Tre ditë pasi ai u dëmtua në fushë në ndeshjen Hungari-Shqipëri, mbrojtësi i Atalantës ndodhet në Torino të Italisë nga ku edhe do të ndjekë nga ekrani sfidën e sotme të Shqipërisë me Poloninë.
Ai do të mungojë në këtë përballje vendimtare për Shqipërinë që të besuarit e Edi Rejës luajnë në “Air Albania”, ku do të vendoset fati i kualifikimit në Botëror.
“Ju falënderoj te gjitheve per mbeshtetjen ne ditet e fundit. Operacioni ishte i suksesshëm dhe do kthehem sa me shpejt ne fushe. Sonte do bej tifo nga shtëpia dhe i uroj shume fat shokëve të skuadrës”, shkruan Gjimshiti.
Mbrojtësi u largua nga fusha e lojës pa kaluar 30 minuta për shkak të një dëmtimi në parakrah.