Konflikti mbi ndërtimin e një resorti në zonën e Rrjollit, Velipojë ka çuar në përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë. Banorët e zonës kanë protestuar kundër projektit, duke akuzuar se pronat e tyre po grabiten, edhe pse ata disponojnë certifikata të vlefshme pronësie.

“Po na zabtojnë tokën, na i marrin djemtë e rinjë e na i fusin në polici. Djemtë janë duke punuar jashtetit dhe vijnë ndërtojnë një shtëpi. Jo të vinë të na i marrin. Kam dy fëmijë jashtë shtetit, rrugëve, për të fituar. Po rrimë vetëm“, shprehet një prej banorëve të zonës.

Një tjetër banor shton: “Na kanë hyrë si ujqërit në pasurinë tonë. Dje na kanë dërguar në komisariat. Jemi në tokë tonë dhe spo merremi vesh me njeri. Jemi në drejtë të Zotit. Në shtëpi time, në tokën time të më çojnë në komisariat. Secili të rri në vend të vet. Jemi me letra dhe të rregullt“.

Situata u tensionua kur banorët u përplasën me policinë gjatë përpjekjeve për të ndaluar ndërtimin, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë për të ruajtur rendin publik. Banorët kërkojnë ndërprerjen e projektit dhe respektimin e të drejtave të tyre pronësore, ndërsa zyrtarët e resortit nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar për zhvillimet e fundit.

/vizionplus.tv