Drejtoria Arsimore Rajonale në Berat ka shkarkuar nga detyra mësuesin Engjëll Bregu, i cili ishte rikthyer në detyrë, pavarësisht një dënimi me burg që kishte kryer për akuzën e pedofilisë.
Juristja e Zyrës Arsimore në Berat, Marilda Frashëri tha se ky institucion nuk ishte dijeni në lidhje me dënimin e Bregut, dhe me marrjen e këtij informacioni nga mediat, 62-vjeçari i është shkarkuar nga detyra.
“Çdo procedurë për punëismin e tij është bërë sipas ligjit. Është shpallur vendi vakant sipas procedurës dhe udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për mësues zëvendësues. Nuk ka ardhur asnjë aplikant nga portali “Mësues për Shqipërinë”.
I jemi drejtuar me shkresë Drejtorisë Rajonale të Arsimit me qendër në Korçë për mungesë të aplikantëve dhe nuk ka ardhur asnjë person. Ndërsa Engjëll Bregu ka sjellë dosjen fizike në Drejtorinë Arsimore dhe që prej 2014 personi ka një dëshmi penaliteti “i padënuar” pra rezulton i pastër.
Ai ka qenë i punësuar me kontratë në disa shkolla të Beratit dhe ka pasur sjellje korrekte. Tani pas këtij reagimi publik do rishikojmë kontratën edhe pse ai ligjërisht është në rregull. Në Drejtorinë Arsimore ka bërë vetëdeklarim se është i padënuar”, deklaroi më herët juristja Frashëri.
Ishin prindërit dhe fëmijët e shkollës 22 Tetori në Berat ata që denoncuan rastin e mësuesit.
Vetë nxënësit e shkollës u shprehën se ishin në dijeni të asaj çfarë ka bërë mësuesi në të shkuarën dhe kishin frikë prej tij gjatë zhvillimit të orëve të mësimit, pasi-siç shprehet një vajzë-mësuesi i shikon në një mënyrë ndryshe që i bezdis. Nxënësit deklaruan se ai u jep fizikë dhe informatikë dhe se ka mbërritur në shkollë prej disa ditësh.
“Mësuesi na jep fizikë dhe informatikë. Kemi dëgjuar që ka ngacmuar nxënës dhe që është dënuar dhe kemi pak frikë. Ai sesi të shikon në klasë dhe për këtë kemi njoftuar edhe prindërit”-shprehen nxënësit e shkollën 9-vjeçare “22 Tetori”.- shprehen nxënësit.
Në vitin 2003, kanë qënë disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Uznovë” në Berat, ato që e kanë denoncuar mësuesin e tyre kujdestar Ëngjëll Bregu se gjatë një ekskuesioni në Bogovë ai i kishte prekur në pjesët intime të trupit.
Nxënëset atëherë e cilësuan mësuesin si maniak, pedofil dhe të rrezikshëm. Mësuesi u arrestua dhe u dënua për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” nga Gjykata e Beratit me 7-muaj burg, por gjykata nuk ja hoqi asokohe të drejtën e rikthimit në detyrë edhe pse u kërkua nga prokuroria.
Pas kryerjes së dënimit, ai u rikthye në detyrë në vitin 2004 në një shkollë 9-vjeçare në fshatin “Hinkë” më Dimal dhe një muaj më pas u transferua në shkollën 9-vjeçare të fshatit “Çiflik”, po në bashkinë Dimal, për të qënë më afër shtëpisë.
Në 25 Prill 2009 ai është akuzuar sërish nga 13 prindër se ka ngacmuar seksualisht fëmijët e tyre në këtë shkollë. Prindërit dërguan asokohe një peticion në Drejtorinë Arsimore Berat, ku kanë shpjeguar sjelljet jo të hijshme të mësuesit. Prindërit e akuzonin mësuesin Ëngjëll Bregu se vinte i dehur në shkollë, se organizonte ekskursione pa miratimin e drejtorisë së shkollës dhe se i prekte vajzat e mitura në pjesë të ndryshme të trupit. Pas këtij peticioni, DAR Berat e pezulloi atë nga detyra por për shkak se denoncimi nuk u bë në polici, Bregu nuk u arrestua sërish.
Pas 13 vjetësh i larguar nga sistemi arsimor, me një vendim që nuk dihet se nga kush është firmosur, mësuesi Ëngjëll Bregu, u rikthye në arsim dhe prej 1-jave është emëruar në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori”, në qendër të qytetit të Beratit.