Aktorja e famshme amerikane Paris Hilton ka rrëfyer së fundmi detajet e abuzimeve seksuale që ajo ka përjetuar në adoleshencë, teksa ndiqte një shkollë me konvikt në Utah për adoleshentët me probleme, në vitet 1990.
41-vjeçarja tregoi se fëmijëria e saj ishte ‘vjedhur’ nga abuzimi në shkollën ‘Provo Canyon’, ku ajo kaloi 11 muaj në moshën 17-vjeçare dhe që pretendonte se ajo u dhunua pasi u detyrua t’i nënshtrohej testeve të qafës së mitrës.
“Shumë vonë natën, ishte ora rreth tre ose katër e mëngjesit, ata më merrnin mua dhe vajzat e tjera në këtë dhomë dhe bënin ekzaminimet mjekësore. Kjo nuk bëhej as me një mjek. Ishte me disa anëtarë të ndryshëm të stafit. Dhe nuk e di se çfarë po bënin, por definitivisht nuk ishte një mjek dhe ishte vërtet e frikshme.
Është diçka që e kisha lënë mënjanë për shumë vite. Por po kthehet gjatë gjithë kohës tani, dhe unë mendoj për këtë. Dhe tani, duke parë pas si një e rritur, ky ishte padyshim abuzim seksual. Është e rëndësishme të hapesh për këto momente të dhimbshme, në mënyrë që të shërohem dhe të ndihmoj për t’i dhënë fund këtij abuzimi.
Kjo ishte një përvojë e përsëritur jo vetëm për mua, por edhe për të mbijetuarit e tjerë. U dhunova dhe po qaj teksa shkruaj këtë sepse askush, veçanërisht një fëmijë, nuk duhet të abuzohet seksualisht. Më vodhën fëmijërinë time dhe më vret që kjo po u ndodh akoma fëmijëve të tjerë të pafajshëm”-u shpreh aktorja Hilton.