Ministria e Bujqësisë ka lëshuar një urdhër që hyri në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, i cili ndalon përkohësisht lëvizjen dhe tregtimin e kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim, i bazuar në ligjin “Për shërbimin veterinar”, synon të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjeve ose të menaxhojë situata të caktuara shëndetësore që lidhen me këto kafshë.

Çfarë përfshin urdhri?

Urdhri, që mban firmën e ministres së Bujqësisë, Anila Denaj, përfshin ndalimin e lëvizjes, pasi ndalohet çdo lëvizje e dhenve dhe dhive nga ferma në fermë, si dhe shtegtimi dhe kullotja në kullota publike në të gjithë vendin, si dhe ndalimin e tregtimit, pasi ndalohet gjithashtu tregtimi i këtyre kafshëve në tregjet e kafshëve të gjalla, mjedise të hapura, panaire dhe çdo lloj tjetër grumbullimi.

“Përjashtim bëhet vetëm për thertoret. E vetmja lëvizje e lejuar është ajo drejt thertoreve, por vetëm nëse shoqërohet me një certifikatë shëndetësore veterinare, të lëshuar nga një veteriner zyrtar.”, thuhet në vendim.

Për zbatimin e këtij urdhri janë ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Urdhri ka hyrë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Kjo masë synon të mbrojë shëndetin publik dhe atë të kafshëve, duke zvogëluar rrezikun e transmetimit të mundshëm të sëmundjeve.

/rtsh.al/