Një shtetas afgan, i evakuuar në një bazë ushtarake amerikane në Gjermani, është ndaluar pasi dështoi që ta kalonte skanimin e sigurisë, tha të enjten një gjeneral i lartë amerikan për Evropë.

Identiteti i këtij personi nuk është publikuar nga Pentagoni, sepse besohet se ai nuk paraqet kërcënim të lartë, shkruan Independent.

“Ai për momentin ndodhet në ndalimin e duhur nga zyrtarët amerikanë dhe Gjermania ka qenë shumë, shumë bashkëpunuese. Ne ende jemi duke punuar rreth hetimit të së kaluarës së tij”, tha komandanti i Komandës Evropiane në ushtrinë amerikane, Gjeneral Tod Wolters.

“Gjatë procesit të skanimit fillestar, nëse një individi i ndizet drita e kuqe, ne me qetësi e largojmë nga linja normale e kontrollimit dhe e vendosim në një vend tjetër në mënyrë që të kemi ca izolim dhe të kemi pak kohë shtesë për t’u siguruar që të gjithë janë sa më të sigurt që është e mundshme”, shtoi zyrtari i lartë ushtarak amerikan.

“Në këtë moment kemi 12.000 të evakuuar afganë në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, 5.000 në barakat Rhine Ordnance në Gjermani, 2.500 të evakuuar në Stacionin Ajror Detar Sgonella në Itali dhe 1.800 të evakuuar afganë në Stacionin Detar Rota në Spanjë”, njoftoi më tutje gjenerali amerikan.

Mijëra afganë janë larguar me aeroplanë nga Afganistani, pasi talibanët e rrethuan Kabulin më 15 gusht. Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës në këtë shtet më 31 gusht pas largimit kaotik të trupave të tyre