Erion Murataj PSD

Ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa dha frymën e fundit një ditë më parë, disa orë pas ditëlindjes së 91-të. Sot në orën 10:00-13:00 mbahen homazhet në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Për dekada me radhë, ‘artistja e popullit’ portretizoi karaktere të panumërta dramatike duke mbetur përjetësisht në kujdesën e artdashësve. Karrierën e nisi që në bankat e shkollës, kur studionte në Lice dhe regjisorët e Teatrit Popullor të asaj kohe spikatën talentin e saj.

Në skenën e Teatrit interpretoi role të mëdha të dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, vajza te “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, apo rolin e nënës nga romanit i Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”.

Me rolet në filma, Xhepa u bë pjesë e shtëpive të shqiptarëve, që nga ekrani bardh e zi në gjysmën e dytë të shekullit 20, shijuan rolet e saj në filma ikonikë si “Dimri i fundit”, “Koncert në vitin 1936”, “Gjurmët”, “Apasionata”, ku mishëronte rolin e vajzës, gruas, e veçanërisht nënës që sakrifikon çdo gjë për fëmijët.

Margarita Xhepa lindi në 2 prill 1934 në qytetin e Lushnjës. Ajo la pas qindra role, për të cilat u nderua me titullin “Nder i Kombit” dhe dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Megjithatë, krenarinë më të madhe të jetës konsideronte tre fëmijët që la pas, njëri prej të cilëve, Ndriçim Xhepa, ndoqi hapat e aktores, duke shkëlqyer po aq në skenën e artit shqiptar.