Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së mjekut të ndjerë, Muharrem Nonaj i cili humbi betejën me Covid-19 këtë të hënë.

Mjeku Nonaj kishte shërbyer prej pesë dekadash në Skrapar dhe të gjithë banorët e njihnin si një mjek me përkushtim të jashtëzakonshëm. “Doktor Rrekja”, shkruan Presidenti Meta ishte një frymëzim për mjekët e rinj, patriot, qytetar dhe familjar model.

Postimi i Presidentit Meta:Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të mjekut të nderuar, Dr.Muharrem Nonaj, një prej figurave më të dashura dhe të respektuara në krahinën e Skraparit dhe Qarkun e Beratit, i cili humbi jetën në betejë me COVID-19.Në shërbim të qytetarëve për gati pesë dekada, Doktor Rrekja, siç e thërrisnim të gjithë, do të mbahet mend përherë për devotshmërinë heroike, përkushtimin e jashtëzakonshëm, humanizmin e rrallë dhe zemërgjerësinë e Tij të pashoqe, në ndihmë të çdo banori në nevojë në Skrapar e Berat, veçanërisht për mbrojtjen e shëndetit të tyre nga kjo pandemi e rrezikshme, që i mori jetën pabesisht.Shembull frymëzimi për mjekët e rinj, patriot, qytetar dhe familjar model, kujtimi i Dr.Muharrem Nonaj, do të jetojë përherë në zemrat e të gjithëve ne, të cilët e njohëm nga afër.Në këto momente tepër të vështira, për këtë humbje të pazëvendësueshme, ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, bashkëshortes Shpresa, fëmijëve të tij, Dr.Blenardit, Matildës e Arlindit, kolegëve dhe të gjithë komunitetit të dashur të Qarkut të Beratit.Lutemi, që shpirti i Tij të prehet në paqen e merituar!

fax