Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë së madhe do të nisë të hënën testimet massive për të zbuluar mbi 50 lloje kanceri në gjak. Këto teste ADN-je do bëjnë të mundur të dallohet në gjakun e një pacienti nëse ai ka qeliza kancerogjene. Diagnostifikimi i hershëm i tyre do të çojë në një rritje dramatike të normave të mbijetesës.
Më shumë se 140,000 vullnetarë mendohet të rekrutohen për të parë se sa mirë funksionon testi si pjesë e një kontrolli të rastit.
“Ne duhet t’i studiojmë testet me kujdes për të kuptuar nëse mund të zvogëlojmë ndjeshëm numrin e kancereve të diagnostikuar në një fazë të vonë. Testi mund të ndryshojë gjithcka në zbulimin e hershëm të kancerit dhe ne jemi të lumtur që do të udhëheqim këtë kërkim të rëndësishëm“, tha Peter Sasieni, profesor i parandalimit të kancerit në “King’s College London”.
Kanceri i mushkërive është deri tani shkaku më i zakonshëm i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar, duke përbërë rreth një të pestën e të gjitha vdekjeve nga kanceri. Kanceri i mushkërive, zorrëve, prostatës dhe gjirit përbëjnë 45% të vdekjeve nga kanceri në Mbretërinë e Bashkuar.