Një ditë më parë, një i ri nga Vlora u bë kryefjalë në rrjetet sociale, pas qarkullimit të pamjeve ku ai ndërpret mbledhjen e këshillit bashkiak të kësaj bashkie, me tone të larta dhe kërcënuese ndaj zyrtarëve.

David Dano ka folur sot për ‘Breaking’ me Fiori Dardhën në TopNews, ku ka treguar arsyet që e shtynë të reagonte në atë formë. Ai u shpreh se kërkon dëmshpërblimin për banesën, teksa shton se po jetojnë në skamje.

“Po jetojmë në skamje, askush nuk ktheu përgjigje. Aktualisht jetoj në një banesë të pabanueshme, askush nuk do t’ia dijë. Kur kërkoj llogari në bashki, më drejtojnë nëpër ministri, delegojnë përgjegjësitë”, tha ai.

David Dano është një prej qytetarëve të shumtë, të cilëve u është shembur shtëpia që ndodhej në rrugën Transballkanike. Prej pesë vitesh ata presin dëmshpërblimin, i cili edhe pse është miratuar nga Këshilli i Ministrave nuk është kaluar në Këshillin Bashkiak. 

“Jam i revoltuar, i kallur për së gjalli, kërkoj të drejtën time”, thotë ai.