TIRANË – Janë pezulluar për 30 ditë, 4 zyrtarë të policisë Shefi i Komisariatit nr 1, Bujar Mehmeti, Flamur Sula shef i postës policore në Farkë, inspektori i krimeve, Alban Rama si dhe Nazmi Kareci me detyrë specialist.
Vendimi ka ardhur një ditë pasi, Agjencia e Mbikqyrjes së Policisë ka nisur një hetim për shkelje të rëndë, duke vënë në shënjestër 4 punonjës të policisë, pasi dyshohet se në mënyrë të qëllimshme nuk kanë marrë masa për parandalimin e paligjshmërisë.
Bëhet fjalë për pallatet dhe katet që janë identifikuar pa leje, objekte që në fakt duhet të ishin raportuar dhe të bllokoheshin. Këta persona dyshohet se kishin informacione që disa objekte kryesisht në zonën e Liqenit të Thatë dhe në Farkë ishin ndërtime pa leje, e megjithatë nuk kanë ndërhyrë për të ndërprerë punimet.