Kryeministri Edi Rama zhvilloi paditen e së hënës një takim me deputetët dhe kandidatët për deputetë të 11 Majit, si dhe me drejtorët e Bashkisë së kryeqytetit, me fokus aksionin për lirimin e hapësirave publike.

– Advertisement –

Kreu i qeverisë theksoi se do të skualifikohet çdo proces legalizimi për ndërtime pas vitit 2020, ndërsa theksoi se do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë e ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit.

“Së pari kemi diskutuar proces legalizimi që është një terminologji abuzimi e përdorur nga individë apo subjekte që për qëllim fitimi fillojnë me zaptime publike dhe pastaj bëjnë vetëdeklarimin që praktikisht i fut si individë në proces legalizimi.

Ndërkohë që procesi është mbyllur në 2020, në kuptimin që asgjë e ndërtuar pas 2020 nuk lejohet. Është lejuar për t’i dhënë mundësi individëve që të bëjnë vetëdeklarimin në kushtet kur mund të mos e kenë bërë në afat, por jo të ndërtojnë pas 2020 dhe vetëdeklarojnë më pas dhe pastaj kur ka nevoje për të bërë ndërhyrje një bashki dalin dhe thonë jemi në proces. Nuk jemi këtu për të diskutuar këtu shtëpitë e familjeve, por për të diskutuar gjithë këtë mashtrim të madh para të cilit për fat të keq janë mbyllur sytë në një pjesë të madhe të territorit dhe interesi publik do të prevalojë. Nuk do të humbë asnjë minutë për t’i kërkuar Agjencisë së Kadastrës të bëjë skualifikimin. E dyta, kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit. Kush hyn në listën e zezë, humb të drejtën për të marrë një leje dhe do penalizohet të përfshihet në industri për një periudhë kohe”, tha Rama.