Gjykata Administrative e Tiranës ka hedhur poshtë si thelbësisht të pabazuar padinë e zhvilluesit të HEC-it Kalivaç kundër Deklaratës Mjedisore negative lëshuar nga Ministri i Mjedisit për procedurën e VNM-së dhe Raportin e kryer nga zhvilluesi i përmendur. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit u bashkuan dhe u mbështetën në provë nga organizatat EuroNatur, Riverwatch dhe EcoAlbania si dhe 39 anëtarë të komunitetit lokal të prekur nga projekti Kalivaçit.

Në shtator 2020 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit lëshoi Deklaratën Mjedisore Negative, duke mos i dhënë dritën jeshile kompanisë për vazhdimin e procedurave për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Ndërsa në shkurt 2021, Kompania turke ngriti padinë në Gjykatën Administrative për të kundërshtuar këtë vendim, por ajo u rrëzua sot nga gjykata. Avokati i ceshtjes, Vladimir Meci shprehet:“ Në këtë proces gjyqësor ne kemi sjellë pranë gjykatës argumentin e shumë shkencetarëve vendas dhe të huaj, të cilet kanë kritikuar  raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të paraqitur nga kompania pranë institucioneve”.

Hidrocentrali i Kalivaçit është shoqëruar me kundërshitnë e banorëve të prekur dhe organziatave mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare të cilët kanë ngritur shqetësimin e tyre në lidhje me ndikimin negativ që ky projekt do të kishte në biodiversitetin e lumit dhe në jetën e banorëve që jetojnë pranë tij.

“Përshëndesim vendimin e gjykates dhe mendojmë se ky është një tjetër mesazh i dhenë për qeverinë që duhet të heqë dorë në mënyrë përfundimtare nga ndertimi i hidrocentraleve dhe të shpallë sa më parë gjithë luginën e Vjosës Park Kombëtar”, tha Olsi Nika, nga EcoAlbania.

Beteja për mbrojtjen e lumit Vjosa dhe shpalljen e saj Park Kombëtar sipas parametave ndërkombëtar është një nismë që është përkrahur nga shumë personalitete të rëndësishëm por edhe nga aktivistë në mbarë botën.