Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillojë më 5 qershor ndaj Uellsit në transfertë dhe tre ditë më vonë ndaj Republikës Çeke, po në transfertë.
Bomberi shqiptar, Sokol Cikalleshi, i cili ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë në Turqi me ekipin e Koniaspor, ka folur për këto dy sfida, duke i konsideruar jo shumë të lehta. Cikalleshi thekson se përgatitjet për këto dy ndeshje janë marrë shumë seriozisht nga ekipi dhe përqëndrimi është maksimal, duke u shprehur se kanë pak a shumë të njëjtin nivel si skuadrat kundërshtare me të cilat Kombëtarja do të luajë në shtator. Ai flet gjithashtu edhe për të ardhmen e tij.
Miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke – Ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë besoj, prej pandemisë dhe ndeshjeve të ngjeshura. Por ka kaluar tashmë dhe jemi fokusuar te dy ndeshjet e Kombëtares.
Janë miqësore, por sigurisht që nuk i konsiderojmë të tilla pasi janë dy ndeshje që na bëjnë të provojmë veten se ku jemi përpara provës së zjarrit që kemi në shtator. Janë dy ekipe që kanë shkuar në Europian dhe besoj se janë të të njëjtit nivel si kundërshtarët tanë dhe ne jemi gati të bëjmë më të mirën tonë dhe të provojmë veten. Po ashtu edhe trajneri të provojë taktikat e tij për të marrë më të mirat e tij në këto dy ndeshje.
Ndeshje pa presion? – Besoj se nuk e kemi luksin ne si Kombëtare që të shohim ndeshje të mirëfillta si miqësore. Ndodhemi në një moment delikat, vijmë pas Ligës së Kombeve ku patëm sukses, duke u renditur të parët. Tani jemi në një kompeticion akoma më të fortë dhe me kundërshtarë akoma më të fortë dhe jemi në një moment deciziv për të parë se ku jemi. Nuk do t’i konsideroja miqësore dhe do të kemi të njëjtin përqëndrim si në ndeshjet e shtatorit.