Një gazetare holandeze që jeton në Greqi është arrestuar në ishullin grek, Hydra, për strehimin e një azilkërkuesi afgan në shtëpinë e saj. Nëse niset procedurë penale dhe nëse shpallet fajtore, ajo mund të dënohet me një vit burgim.

Ingeborg Beugel, 61 vjeçe, korrespondente për mediet holandeze, ka jetuar në ishullin grek për gati 40 vjet. Ajo u arrestua më 13 qershor nën akuzën për lehtësimin e qëndrimit ilegal të një të huaji në Greqi. Ajo mund të dënohet me 12 muaj burgim dhe gjobë prej 5.000 eurosh, shkruan The Guardian.

Beugel tha se u arrestua, pasi banorët e njoftuan policinë për praninë e një azilkërkuesi 23-vjeçar nga Afganistani. Ai po qëndronte në shtëpinë e gazetares përderisa kishte paraqitur ankesë ndaj një vendimi negativ për azil.

“Disa banorë të zemëruar e kishin thirrur policinë duke thënë se unë kisha një marrëdhënie të dyshimtë me një ilegal në shtëpinë time. Ata më ndaluan sikur të isha ndonjë terroriste vdekjeprurëse. Ata s’më lanë as të shkoj në shtëpi që t’i marr ilaçet dhe deodorantin”, tha gazetarja.

Beugel dhe azilkërkuesi afgan u mbajtën një natë në Hydra para se të dërgoheshin në Athinë të lidhur me pranga së bashku. Ajo tha se nuk ka qenë sekret që azilkërkuesi ka qenë duke qëndruar me të dhe se ajo e ka mbuluar rrëfimin e tij si gazetare.

fax