Shanset janë 1 në 50 milion dhe po i ndodh një 32-vjeçare nga Alabama (SHBA), tashmë nënë e tre fëmijëve.

Kelsey Hatcher, po e dokumenton “aventurën” e saj të re në Instagram. Gruaja mësoi se kishte një mitër të dyfishtë në moshën 17-vjeçare. Një mitër e dyfishtë është një anomali që prek afërsisht një në 2000 deri në 3000 gra. Pavarësisht pranisë së dy trupave të mitrës, ka ende dy tuba fallopiane. Mitra e dyfishtë, ose didelphus, është karakteristikë e pranishme që në lindje dhe nëse nuk shkakton probleme, nuk kërkon ndërhyrje.

Një lindje e dyfishtë si ajo me të cilën përballet 32-vjeçarja amerikane është ndryshe. Shtatzënitë në të dyja mitra janë jashtëzakonisht të rralla, tha për ABC Shweta Patel, mjekja obstetër-gjinekologe që kujdeset për gruan në Universitetin e Alabama në Birmingham’s Women & Infants Center. Shanset ishin një në 50 milionë. Rasti i fundit i njohur ndodhi në Bangladesh në vitin 2019, kur Arifa Sultana, atëherë 20 vjeç, lindi binjakë të shëndetshëm me 26 ditë diferencë.

Kelsey Hatcher zbuloi se ajo ishte në pritje të binjakëve në ekografinë e saj të javës së tetë, dhe atëherë mësoi se binjakët ishin secili në një mitër. “Me shumë gjasa ajo ka ovuluar veçmas dhe një vezë ka zbritur nga çdo tub fallopian, domethënë nga çdo anë e mitrës, pastaj spermatozoidi ka udhëtuar në secilën mitër dhe fekondimi ka ndodhur veçmas,” tha gjinekologia.

Edhe pse gratë me një mitër të dyfishtë shpesh përballen me komplikime gjatë shtatzënisë, të tre fëmijët e mëparshëm të Hatcher kanë lindur të shëndetshëm, por ata nuk ishin binjakë. Hatcher shpreson se nuk do t’i duhet të përdorë një prerje cezariane për foshnjat e saj, të cilët do të priten rreth Krishtlindjes, por ajo e di se mitrat do të tkurren në periudha të ndryshme, mund të jenë minuta, orë apo edhe ditë, dhe Kelsey dhe burri i saj Caleb e dinë se mund të jenë të nevojshme një ose dy prerje cezariane, të cilat në fakt janë shumë të zakonshme në situatat me mitër të dyfishtë.

32-vjeçarja mbetet optimiste dhe bën shaka: “Në çdo vizitë te mjeku më pëlqen të më thonë: Nuk kemi pasur një situatë të tillë më parë, ky është një rast krejtësisht i ri për ne. Unë jam një shtatzëni me rrezik të ulët tani, por një lindje me rrezik të lartë. Ne i besojmë plotësisht spitalit, ai do të na ofrojë kujdesin më të mirë, edhe pse pa përvojë të mëparshme!”.top chanel