Një ceremoni e pazakontë është zhvilluar në Çeki, në lidhje me dekretimin e kryeministrit të ri. Presidenti çek Milos Zeman, ka dekretuar kryeministrin Petr Fiala, ndërsa qëndronte brenda një kutie xhami pasi rezultoi pozitiv për koronavirusin.

Milos Zeman përshëndeti Petr Fiala gjatë ceremonisë zyrtare në rezidencën e tij në Pragë.

77-vjeçari ishte i ulur në një karrige me rrota dhe i shoqëruar nga një mjek i veshur tërësisht me pajisje mbrojtëse, pasi u sëmur me Covid gjatë një qëndrimi prej gjashtë javësh në reanimacion.

Qeverisë së re do t’i duhet të trajtojë një valë infeksionesh me koronavirus që po kërcënon të pushtojë spitalet dhe një krizë energjetike, pas rënies së një ofruesi të madh të energjisë elektrike. Koalicioni ka thënë gjithashtu se ka në plan të ripërpunojë buxhetin e shtetit 2022 për të reduktuar një deficit të madh.